Çka është "GPS"[1]?
GPS – shkurtesë në gjuhën angleze e cila përdoret për sistemin “Global Positioning System” që në gjuhën shqipe do të thotë “Sistemi për Pozicionim Global”.
Ky sistem është i qeverisë amerikane, i inicuar nga Departamenti i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vitin 1973 për nevoja ushtarake. Ndërsa nga viti 1980 është lejuar të shfrytëzohet edhe për nevoja civile. Në vitin 1993 është kompletuar numri prej 24 satelitëve duke ofruar mbulueshmëri në tërë globin.
Sistemi GPS është sistem kompleks i përbërë prej 24 ose më shumë satelitësh të cilët qëndrojnë në hapësirë në lartësi 20,350 km mbi sipërfaqen e tokës. Secili satelit sillet rreth tokës dy herë në ditë për të ofruar mbulueshmëri të vazhdueshme të tërë globit.
Satelitët emitojnë radiovalë përmes të cilave e tregojnë pozitën e tyre, statusin, si dhe kohën e emitimit nga orët e tyre atomike. Radiovalët e GPS-it udhëtojnë në hapësirë me shpejtësi të dritës (rreth 300,000 km/s). Pajisja GPS të cilën e instalojmë ne i pranon radiovalët, e krahason kohën e nisjes së valëve me atë të arritjes, dhe në këtë mënyrë e llogarit largësinë nga sateliti. Pajisja GPS njëkohësisht mund të pranojë valë nga deri mbi 20 satelitë, dhe llogaritjen e kohës e bën për secilin veç e veç. Sapo të arrijë pajisja GPS ta llogarisë largësinë nga së paku 4 satelitë, ajo ka mundësinë që përmes gjeometrisë tridimenzionale ta përcaktojë pozicionin e vetë në Tokë me saktësi të madhe.
[1] Marrur nga “Wikipedia” dhe www.gps.gov.